PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

A ekziston Perëndia?

A ekziston Perëndia? A ka prova për Të? Materiali i mëposhtëm ofron arsye të sinqerta e të drejtpërdrejta për të besuar në ekzistencën e Perëndisë…

nga Marilyn Adamson

I printueshëm në PDF

Vetëm një herë të vetme a nuk do të doje që dikush të të tregonte faktet për ekzistencën e Perëndisë? Pa të detyruar ta pranosh. Pa deklarata si: “Thjesht duhet ta besosh.” Unë do të përpiqem të jap me sinqeritet disa nga arsyet që të bëjnë të mendosh se Perëndia ekziston.

Por së pari mendoni këtë: nëse dikush nuk e pranon as mundësinë që të ketë një Perëndi, atëherë çdo fakt që t’i paraqitet do ta hedhë poshtë ose do t’i japë shpjegim tjetër. Është si puna e atij që nuk pranon të besojë se kanë shkuar njerëz në Hënë. Asnjë sasi informacioni nuk mund t’ia ndryshojë mendjen. Fotografitë e astronautëve duke ecur mbi sipërfaqen e hënës, intervistat me astronautët, shkëmbinjtë e marrë nga hëna…do të ishin pa vlerë, sepse personi e ka ndarë mendjen që njerëzit nuk mund të shkojnë në Hënë.

Kur është fjala për mundësinë e ekzistencës së Perëndisë, Bibla thotë se ka njerëz që kanë parë mjaft prova por e kanë shtypur të vërtetën për Perëndinë.1 Nga ana tjetër, për ata që duan ta njohin Perëndinë nëse Ai ekziston, Ai thotë, “Ju do të më kërkoni dhe do të më gjeni, kur të më kërkoni me gjithë zemër.”2 Përpara se të shikoni faktet që kanë të bëjnë me ekzistencën e Perëndisë, pyesni veten, Nëse Perëndia ekziston, a do të doja ta njihja?

Ja, pra, disa arsye për t’u shqyrtuar…

1. A ekziston Perëndia? Në të gjithë historinë, në të gjitha kulturat e botës, njerëzit kanë qenë të bindur se ka një Perëndi.

Miliarda njerëz, me përbërje të ndryshme sociologjike, intelektuale, emocionale, arsimore…besojnë se ka një Krijues, një Perëndi që duhet adhuruar. Natyrisht, fakti që shumë njerëz e besojnë diçka nuk e bën këtë automatikisht të vërtetë. Por, kur kaq shumë njerëz, në të gjitha kohërat, kanë qenë kaq të bindur se Perëndia ekziston, a mund të thotë dikush me siguri të plotë se të gjithë e kanë pasur gabim?

“Kërkimet antropologjike tregojnë që edhe në mes të popujve më primitivë dhe më të largët nga qytetërimi ekziston një besim i përgjithshëm te Perëndia. Dhe në historitë dhe legjendat më të hershme të popujve në të gjithë botën, ideja fillestare ishte se kishte një Perëndi që ishte Krijuesi. Koncepti i një Perëndie në fillim duket se ka qenë në vetëdijet e tyre madje edhe në ato shoqëri që janë sot politeiste.”3

2. A ekziston Perëndia? Kompleksiteti i planetit tonë tregon për një Projektues të qëllimshëm i cili jo vetëm e krijoi gjithësinë tonë, por edhe e mban atë në ekzistencë.

Shumë shembuj, ndoshta pa fund, mund të merren në shqyrtim që tregojnë projektimin e Perëndisë, por do të jap disa:

Toka…madhësia e saj është e përsosur. Madhësia e Tokës dhe graviteti që i korrespondon mban një shtresë të hollë gazesh, kryesisht azot dhe oksigjen, që arrin deri në rreth 80 kilometra mbi sipërfaqen e tokës. Nëse toka do të ishte më e vogël, atmosfera do të ishte e pamundur, si për planetin Mërkur. Nëse toka do të ishte më e madhe, atmosfera e saj do të përmbante hidrogjen të lirë, si Jupiteri.4 Toka është i vetmi planet i njohur që ka një atmosferë me përzierjen e duhur të gazeve për të bërë të mundur jetën bimore, shtazore dhe njerëzore.

Toka është e vendosur në largësinë e duhur nga dielli. Shikoni luhatjet e temperaturave që ndeshim në tokë, nga -35ºC deri në +50ºC. Nëse Toka do të ishte më larg nga dielli, ne do të ngrinim. Po të ishte më afër do të digjeshim. Edhe një ndryshim i vogël i pozicionit të Tokës ndaj diellit do ta bënte jetën në tokë të pamundur. Toka ruan këtë largësi të përsosur nga dielli dhe ndërkohë rrotullohet rreth tij me një shpejtësi afërsisht 110,000 km/h. Gjithashtu ajo rrotullohet rreth boshtit të saj, duke lejuar që gjithë sipërfaqja e tokës të ngrohet dhe të ftohet siç duhet çdo ditë.

Dhe hëna jonë është në madhësinë dhe largësinë e përsosur nga toka për tërheqjen gravitacionale të saj. Hëna krijon batica të rëndësishme oqeanike dhe lëvizje të ujit në mënyrë që ujërat e oqeaneve të mos bëhen të ndenjura, dhe megjithatë nuk i lejon ato masa të stërmëdha uji të vërshojnë në kontinente.5

Uji…pa ngjyrë, pa erë dhe pa shije, dhe megjithatë asnjë gjë e gjallë nuk mund të jetojë pa të. Organizmi i bimëve, kafshëve dhe qenieve njerëzore përbëhet kryesisht nga uji (rreth dy të tretat e trupit të njeriut është ujë). Të shohim pse karakteristikat e ujit janë kaq ekskluzivisht të përshtatshme për jetën:

Ai ka një temperaturë të lartë vlimi dhe të ulët ngrirjeje. Uji bën të mundur që ne të jetojmë në një mjedis me luhatje temperaturash, duke e mbajtur trupin tonë në një temperaturë konstante prej rreth 37ºC.

Uji është tretës universal. Kjo veti e ujit bën të mundur që mijëra substanca kimike, minerale dhe lëndë ushqimore të transportohen në të gjithë trupin dhe në enët më të vogla të gjakut.6

Uji është gjithashtu kimikisht neutral. Pa ndikuar në përbërjen kimike të substancave që transporton, uji lejon që ushqimi, medikamentet dhe mineralet të absorbohen dhe të përdoren nga trupi.

Uji ka një tension sipërfaqësor unik. Për këtë arsye ai në bimët mund të ngjitet lart në drejtim të kundërt me forcën e rëndesës, duke çuar kështu jetë dhe ushqim deri në majën e pemëve më të larta.

Uji fillon të ngrijë nga sipërfaqja dhe akulli, duke pasur dendësi më të vogël (ndryshe nga çdo substancë tjetër), pluskon, duke bërë të mundur që peshqit të jetojnë edhe në dimër.

Nëntëdhjeteshtatë përqind e ujit të tokës gjendet në oqeane. Por në tokën tonë ekziston një sistem i projektuar në mënyrë të tillë që ia heq kripën ujit dhe e shpërndan atë në të gjithë globin. Avullimi merr ujin e oqeaneve, duke e lënë kripën, dhe formon re që lëvizen lehtë nga era duke e shpërndarë kështu ujin mbi sipërfaqen e tokës, për bimësinë, kafshët dhe njerëzit. Është një sistem pastrimi dhe furnizimi që bën të mundur vazhdimësinë e jetës në këtë planet, një sistem që e riqarkullon dhe e ripërdor ujin.7

Truri i njeriut…në të njëjtën kohë përpunon një sasi jashtëzakonisht të madhe informacioni. Truri yt analizon gjithë ngjyrat dhe objektet që shikon, temperaturën rreth teje, trysninë e këmbëve të tua në dysheme, tingujt rreth teje, thatësinë e gojës, fortësinë e materialeve që prek. Truri yt regjistron reagimet emocionale, mendimet dhe kujtimet. Në të njëjtën kohë, truri yt ndjek mbarëvajtjen e funksioneve të vazhdueshme të trupit, si ritmi i frymëmarrjes, lëvizja e qepallave dhe lëvizja e muskujve të duarve.

Truri njerëzor përpunon më shumë se një milion mesazhe në sekondë.8 Ai e peshon rëndësinë e gjithë këtyre të dhënave, duke filtruar ato që janë relativisht të parëndësishme. Ky funksion përzgjedhës na lejon të përqendrohemi dhe të veprojmë efektivisht në botë. Një tru që merret me më shumë se një milion pjesë informacioni për sekondë, duke vlerësuar ndërkohë rëndësinë e tyre dhe duke na lejuar të veprojmë në bazë të informacionit më të përshtatshëm…a mund të themi se një organ kaq i mrekullueshëm u shkaktua nga rastësia?

Kur dërgohet në hapësirë një anije kozmike, të gjithë e kemi të qartë se ky projekt nuk u planifikua nga një majmun, por nga mendje të ditura dhe inteligjente. Si mund ta shpjegojmë ekzistencën e trurit njerëzor? Vetëm një mendje më inteligjente dhe më e ditur se e ajo njerëzore mund ta kishte krijuar trurin e njeriut.

3. A ekziston Perëndia? Thjesht “rastësia” nuk është një shpjegim i mjaftueshëm i krijimit.

Le të marrim Malin Rashmor në Amerikë, ku janë gdhendur fytyrat e Uashingtonit, Xhefersonit, Linkolnit dhe Ruzveltit. A mund ta besoni se ato janë bërë rastësisht? Edhe sikur t’iu kishe dhënë pafundësisht kohë, erë, shi dhe rast, prapë do të ishte e vështirë për ta besuar se diçka e tillë, e lidhur aq ngushtë me historinë, u formua rastësisht në faqen e malit. Logjika e thjeshtë na thotë se ato fytyra u projektuan dhe u gdhendën me mjeshtëri nga njerëz.

Ky artikull prek vetëm disa aspekte të mrekullueshme të botës sonë: pozicionin e tokës ndaj diellit, disa veti të ujit, një organ të trupit të njeriut. A mund të jetë shkaktuar ndonjë nga këto gjëra nga rastësia?

Astronomi i shquar Sër Frederik Hojl tregoi se mundësia e formimit të një qelize nga bashkimi i rastësishëm i aminoacideve është matematikisht absurde. Sër Hojl e ilustroi dobësinë e argumentit të “rastësisë” me analogjinë e mëposhtme. “Cili është probabiliteti që një tornado që kalon përmes një magazine ku ndodhen të gjitha pjesët e një avioni Boeing 747, aksidentalisht t’i bashkojë ato dhe të formojë një avion dhe ta lërë gati për nisje? Shanset janë aq të vogla saqë nuk mund të merren parasysh edhe sikur tornadoja të kalonte nëpër një numër të pafund magazinash të tilla!”9

Kur mendon se sa të ndërlikuara janë jeta dhe gjithësia, është e arsyeshme të mendosh se një Krijues inteligjent dhe i dashur ka siguruar çdo gjë që na duhet për të jetuar. Bibla e përshkruan Perëndinë si krijuesin e jetës dhe si atë që siguron vazhdimësinë e saj.

4. A ekziston Perëndia? Ndjesia e brendshme njerëzore e së drejtës dhe së gabuarës nuk mund të shpjegohet biologjikisht.

Në secilin nga ne, në çdo kulturë, ekziston një ndjesi universale e së drejtës dhe së gabuarës. Edhe një hajdut mërzitet dhe ndjen padrejtësi kur dikush e vjedh. Nëse dikush rrëmben një fëmijë nga një familje dhe pastaj e përdhunon, të gjithë revoltohen dhe inatosen dhe e dënojnë atë akt si të keq, pavarësisht nga kultura ku gjenden. Nga e kemi këtë ndjesi të së keqes? Si ta shpjegojmë këtë ligj universal në ndërgjegjen e të gjithë njerëzve që thotë se vrasja për qejf është e gabuar?

Dhe fusha të tilla si guximi, vdekja për një kauzë, dashuria, dinjiteti, ndjenja e detyrës dhe dhembshuria, nga dolën? Nëse njerëzit janë thjesht produkt i evolucionit fizik, “mbijetesa e më të fortit,” pse sakrifikojmë për njëri-tjetrin? Ku e gjetëm këtë ndjesi të së drejtës dhe të së gabuarës? Ekzistenca e ndërgjegjies sonë mund të shpjegohet më së miri me ekzistencën e një Krijuesi të dashur që kujdeset për vendimet dhe harmoninë e njerëzimit.

5. A ekziston Perëndia? Perëndia jo vetëm që e ka zbuluar Veten në atë që mund të vihet re në natyrë dhe në jetën njerëzore, por Ai e ka shfaqur Veten edhe më specifikisht në Bibël.

Mendimet e Perëndisë, personaliteti dhe qëndrimet e Tij mund të njihen vetëm nëse Perëndia zgjedh të na i zbulojë ato. Gjithçka tjetër do të ishte hamendje njerëzore. Ne nuk mund të dimë asgjë për Të nëse Perëndia nuk dëshiron të na bëhet i njohur. Por Perëndia dëshiron që ta njohim dhe na ka thënë në Bibël çdo gjë që ne duhet të dimë për karakterin e Tij dhe mënyrën si t’i afrohemi Atij. Kjo e bën besueshmërinë e Biblës një çështje të rëndësishme.

Zbulimet arkeologjike vazhdojnë ta konfirmojnë dhe jo ta hedhin poshtë saktësinë e Biblës. Për shembull, një zbulim arkeologjik në pjesën veriore të Izraelit në gusht 1993 konfirmoi ekzistencën e Mbretit David, autor i Psalmeve të Biblës.10 Rrotullat e Detit të Vdekur dhe zbulime të tjera arkeologjike vazhdojnë të vërtetojnë saktësinë historike të Biblës.

Bibla u shkrua në një periudhë prej 1500 vjetësh, nga 40 autorë të ndryshëm në vende të ndryshme dhe në kontinente të ndryshme, në tre gjuhë të ndryshme, dhe trajton tema të ndryshme në pika të ndryshme të historisë.11 Megjithatë, në mesazhin e saj ka një përputhje logjike të habitshme. Në të gjithë Biblën del i njëjti mesazh:

  1. Perëndia e krijoi botën ku jetojmë, dhe na krijoi ne me qëllimin e veçantë për të patur një marrëdhënie me Të.
  2. Ai na do shumë.
  3. Ne kemi mëkatuar dhe si rezultat jemi nën dënimin e Perëndisë, dhe kemi nevojë për faljen e Tij.
  4. Perëndia siguroi një mënyrë që mëkatet tona të falen.
  5. Ai na kërkon që ta pranojmë faljen e Tij dhe të kemi një marrëdhënie me Të që do të zgjatë përjetësisht.

Bashkë me këtë bosht kryesor, Bibla zbulon në mënyrë specifike karakterin e Perëndisë. Psalmi 145 është një përmbledhje tipike e personalitetit të Perëndisë, e mendimeve dhe ndjenjave të Tij ndaj nesh. Nëse duam ta njohim Perëndinë, ja ku e kemi.

6. A ekziston Perëndia? Në ndryshim nga zbulesat e tjera të Perëndisë, Jezus Krishti është paraqitja më e qartë, më specifike e Perëndisë.

Pse Jezusi? Merrni të gjitha fetë kryesore të botës dhe do të shikoni se të gjithë, Buda, Muhamedi, Konfuci dhe Moisiu, e identifikuan veten si mësues ose profetë. Asnjëri prej tyre nuk pretendoi ndonjëherë se ishte Perëndi. Për çudi, Jezus po. Kjo është ajo që e ndan Atë nga gjithë të tjerët. Ai tha që Perëndia ekziston dhe ju tani po e shikoni. Megjithëse Ai foli për Atin e Tij në qiell, nuk foli për një ndarje, por për një bashkim shumë të afërt, unik për njerëzimin. Jezusi tha që kushdo që e kishte parë Atë, kishte parë Atin, kushdo që besonte në Të, besonte në Atin.

Ai tha, “Unë jam drita e botës; ai që më ndjek mua nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”12 Ai mori mbi vete atribute që mund t’i ketë vetëm Perëndia: mundësinë për të falur mëkatet e njerëzve, për t’i çliruar ata nga zakone mëkatare, për t’iu dhënë njerëzve një jetë me kuptim dhe pastaj jetë të përjetshme në qiell. Ndryshe nga mësuesit e tjerë që i fokusonin njerëzit në fjalët e tyre, Jezusi i drejtoi njerëzit te vetja e Tij. Ai nuk tha, “ndiqni fjalët e dhe do të gjeni të vërtetën.” Ai tha, “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.”13

Çfarë provash dha Jezusi që të mbështeste thënien e Tij? Ai bëri atë që njerëzit nuk mund ta bëjnë. Jezusi bëri mrekulli. Ai shëroi njerëz…të verbër, të çalë, të shurdhër, madje disa edhe i ringjalli nga të vdekurit. Ai kishte pushtet mbi objektet…krijoi ushqim nga asgjëja, të mjaftueshëm për të ushqyer turma me mijëra njerëz. Ai bëri mrekulli mbi natyrën…eci mbi ujë, e urdhëroi stuhinë të pushonte. Njerëzit nga çdo anë e ndiqnin Jezusin, sepse Ai vazhdimisht ua plotësonte nevojat, duke bërë gjëra të mrekullueshme. Ai tha, nëse ju nuk doni të besoni atë që po ju them, të paktën besoni për shkak të mrekullive që po shihni.14

Çfarë na zbuloi Jezusi për personalitetin e Perëndisë? Po për mendimet, dëshirat dhe ndjenjat e Perëndisë për njerëzimin? Jezus Krishti na tregoi që Perëndia është i butë, i dashur, i kujdesur, i vetëdijshëm për egoizmin dhe të metat tona, e megjithatë dëshiron shumë një marrëdhënie me ne. Jezusi na zbuloi se, megjithëse Perëndia na shikon si mëkatarë, që e meritojmë dënimin e Tij, dashuria e Tij për ne triumfoi dhe Perëndia bëri një plan tjetër. Perëndia planifikoi që Biri i Tij të merrte dënimin për mëkatet tona. Dhe Jezusi e pranoi me dëshirë këtë plan.

Jezusi u torturua me një kamzhik me nëntë fshikuj me majë të mprehtë. Në kokë iu ngjesh një “kurorë” me gjemba dy gisht të gjatë. Pastaj e mbërthyen me gozhdë në një kryq në duar dhe këmbë. Duke pasur parasysh mrekullitë që bëri nuk mund të mendojmë se ishin gozhdët që e mbajtën në kryq; ishte dashuria e Tij për ne që e mbajti. Jezus vdiq në vendin tonë që ne të marrim faljen. Nga të gjitha fetë që njeh njerëzimi, vetëm te Jezusi e shohim Perëndinë që i jep dorën njeriut, i siguron atij një mënyrë për të patur një marrëdhënie me Të. Jezusi shfaq një zemër me dashuri hyjnore, plotëson nevojat tona, na afron te vetja e Tij. Për shkak të vdekjes së Jezusit ne mund jemi të falur, plotësisht të pranuar nga Perëndia dhe vërtet të dashur prej Tij. Perëndia thotë, “Unë të kam dashur me një dashuri të përjetshme, prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.”15 Ky është rezultati i dashurisë së Tij.

Prova më përfundimtare që Jezus është i barabartë me Perëndinë ishte mrekullia e Tij e shqyrtuar më me hollësi – ringjallja e Tij nga të vdekurit. Jezusi tha se tri ditë pas varrimit Ai do të ringjallej. Ditën e tretë pas kryqëzimit, guri prej gati dy tonësh që ishte vendosur në hyrje të varrit u flak në një vend më të lartë.16 Rojet e stërvitura romake panë një dritë verbuese dhe një ëngjëll. Në varr nuk kishte gjë tjetër veç rrobave të varrimit që kishin qenë mbështjellë rreth trupit të Jezusit. Për shumë vite, analiza të shumta ligjore, historike dhe logjike janë bërë në lidhje me ringjalljen e Jezusit dhe përfundimi më i mundshëm ende mbetet që Jezusi u ringjall nga të vdekurit.

A ekziston Perëndia? Nëse do ta dish këtë, shiko Jezus Krishtin. Ne na është thënë se “Perëndia aq shumë e deshi botën saqë dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”17

A ke dëshirë të fillosh një marrëdhënie me Perëndinë dhe ta dish me siguri se je i pranuar prej Tij?

Ky është vendimi yt, s’ka detyrim për këtë. Por nëse dëshiron të jesh i falur nga Perëndia dhe të kesh një marrëdhënie me Të, këtë mund ta bësh që tani duke i kërkuar Atij të të falë dhe të vijë në jetën tënde. Jezusi tha, “Ja, unë qëndroj te dera [e zemrës tënde] dhe trokas. Ai që e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai [ose ajo].”18 Nëse dëshiron ta bësh këtë, por nuk je i sigurt si të gjesh fjalët e duhura, shih nëse kjo mund të të ndihmojë: “Jezus, falemnderit që vdiqe për mëkatet e mia. Ti e njeh jetën time dhe e di që kam nevojë për falje. Të lutem më fal dhe eja në jetën time. Falemnderit që e dëshiron një marrëdhënie me mua.”

Perëndia e shikon marrëdhënien tënde me Të si të përhershme. Duke folur për të gjithë ata që besojnë tek Ai, Jezus Krishti tha, “Unë i njoh [ata] dhe [ata] më ndjekin; dhe unë iu jap atyre jetën e përjetshme, dhe nuk do të humbasin kurrë, dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.”19

Pra, A ekziston Perëndia? Duke parë të gjitha këto fakte, ne mund të arrijmë në përfundimin se vërtet ekziston një Perëndi i dashur që mund të njihet në një mënyrë intime, personale. Nëse doni më shumë informacion për fjalët e Jezusit rreth natyrës së Tij hyjnore, ose për ekzistencën e Perëndisë, ose nëse keni pyetje të tjera të ngjashme, ju lutemi na shkruani një e-mail.

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...

Në lidhje me autorin: Marilyn Adamson ishte një ateiste që e kishte të vështirë të shpjegonte përgjigjiet e vazhdueshme të lutjeve dhe jetën shembullore të një shoqeje të ngushtë. Duke dashur të sfidonte besimin e shoqes së saj, Marilyn u gjend para një sasie të habitshme faktesh objektive për ekzistencën e Perëndisë. Pas rreth një viti me pyetje këmbëngulëse, ajo iu përgjigj ofertës së Perëndisë për të ardhur në jetën e saj dhe që nga ajo kohë ka parë se besimi i saj është përforcuar dhe ia ka vlejtur.

(1) Romakëve 1:19-21
(2) Jeremia 29:13-14
(3) Paul E. Little, Know Why You Believe (Victor Books, 1988), fq. 22
(4) R.E.D. Clark, Creation (London: Tyndale Press, 1946), fq. 20
(5) The Wonders of God’s Creation, Moody Institute of Science (Chicago, IL)
(6) Ibid.
(7) Ibid.
(8) Ibid.
(9) Little, fq. 24
(10) Thomas McCall, “The Stone of the House of David,” The Levitt Letter (Zola Levitt Ministries), September 1993
(11) Josh McDowell, Evidence That Demands A Verdict (San Bernardino, CA: Here’s Life Publishers, 1979), fq. 16
(12) Gjoni 8:12
(13) Gjoni 14:6
(14) Gjoni 14:11
(15) Jeremia 31:3
(16) Josh McDowell, More Than A Carpenter (Wheaton, IL: Tyndale House, 1977), fq. 90-91
(17) Gjoni 3:16
(18) Zbulesa 3:20
(19) Gjoni 10:27-29

TREGOJUA MIQVE:  

TOP