PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

A mund ta shpjegoni Trininë?

Pyetje: “Ç’mund të thoni për doktrinën e Trinisë, të Trinisë së Shenjtë?”

Përgjigjia jonë: “Trini” është një term që nuk gjendet në Bibël por një fjalë e përdorur për të përshkruar atë që del qartë për Perëndinë në Shkrimin e Shenjtë. Bibla flet qartë për Perëndinë At, Perëndinë Bir (Jezu Krishti), dhe Perëndinë Shpirt i Shenjtë…dhe gjithashtu qartazi thotë se ka vetëm një Perëndi. Prandaj përdoret termi Trini (dmth, tre në një). Kjo është një mënyrë për të pranuar atë që Bibla na zbulon në lidhje me Perëndinë, që Perëndia është tre “Persona” që kanë të njëjtin thelb hyjnor.

Disa janë përpjekur të japin ilustrime njerëzore për Trininë, si psh shembulli i ujit, H2O, që është ujë, akull dhe avull (të gjitha forma të ndryshme, por të gjitha H2O). Një ilustrim tjetër është veza që ka lëvozhgën, të verdhën dhe të bardhën, por ky ilustrim tregon që ka “pjesë” që për Perëndinë nuk është e vërtetë.

Perëndia Biri (Jezui) është plotësisht Perëndi. Perëndia Ati është plotësisht Perëndi. Dhe Perëndia Shpirti i Shenjtë është plotësisht Perëndi. Megjithatë ka vetëm një Perëndi. Në botën tonë, me eksperiencën tonë të kufizuar njerëzore, është e vështirë të kuptosh Trininë. Por që nga fillimi Perëndia shfaqet i tillë në Shkrimet. Vini re foljen dhe përemrat në shumës te Zanafilla 1:26 – Pastaj Perëndia tha, “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe.”

Më poshtë jepen disa pasazhe të tjera nga Bibla që tregojnë se Perëndia është një, në Trini, megjithëse kjo nuk është një listë e plotë:

  • “Dëgjo , O Izrael! Zoti, Perëndia ynë është një i vetëm!” (Ligji i Përtërirë 6:4)
  • “Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi.” (Isaia 45:5)
  • Nuk ka Perëndi tjetër veç një. (1 Kor. 8:4)
  • Dhe Jezusi sapo u pagëzua doli nga uji; dhe ja qiejt u hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të, dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam i kënaqur.” (Mateu 3:16-17)
  • “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar ata në emrin e Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë.” (Mateu 28:19)
  • Jezusi tha: “Unë dhe Ati jemi një.” (Gjoni 10:30)
  • “Kush më ka parë mua, ka parë Atin.” (Gjoni 14:9)
  • “Dhe kush më sheh mua sheh Atë që më ka dërguar.” (Gjoni 12:45)
  • Në qoftë se ndokush nuk e ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket Atij. (Rom. 8:9)
  • “Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Shpirtit të Shenjtë.” (Mateu 1:20)
  • Dhe ëngjëlli duke u përgjigjur i tha [Marisë]: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.” (Luka 1:35)
  • [Jezui duke iu folur dishepujve të Tij] “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju; Frymën e së vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh, por ju e njihni sepse Ai qëndron me ju dhe do të jetë në ju.” … “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.” (Gjoni 14:16-17, 23)
 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:  

TOP