Feja dhe shpirtërorja: Perënditë Hindu, Budizmi, Krishtërimi, Islamizmi, Epoka e Re — janë të gjitha njëlloj?

nga Marilyn Adamson

I printueshëm në PDF

Ne të gjithë duam t’ia dalim mbanë në jetë me njëfarë suksesi, me njëfarë ndjesie që i bëmë gjërat siç duhet. Dhe nëse të tjerët mendojnë se e dinë se si jeta mund të jetë e kënaqshme, ose edhe me kuptim, ia vlen që të paktën ta kontrollosh a është e vërtetë. Ç’mund të themi për fetë kryesore të botës? A kanë ato ndonjë gjë që do t’iu jepte jetëve tona vlerë dhe stabilitet më të lartë?

Më poshtë keni një mundësi për të parë sistemet fetare kryesore të botës…Hinduizmi, Epoka e Re, Budizmi, Islamizmi, dhe Krishtërimi.* Bashkë me to jepet një përshkrimi i shkurtër i secilës, karakteristikat dalluese, dhe çfarë mund të fitojë një person nga secila. Autorja pastaj na paraqet për të shqyrtuar se si ndryshojnë mësimet e Jezusit nga fetë botërore.

*Secili nga këto sisteme ka sekte me besime të ndryshme. Përshkrimi që jepet këtu fokusohet në linjën kryesore të atij sistemi.

Hinduizmi

Pjesa më e madhe e Hinduve adhurojnë paraqitje të pafundme të njëqenësisë përfundimtare (Brahman) nëpërmjet një shumice perëndish dhe perëndeshash, mbi 300,000 prej tyre. Këto manifestime të shumta të perëndive dhe perëndeshave mishërohen brenda idhujve, tempujve, guruve, lumenjve, kafshëve, etj.

Hindutë e shohin pozicionin e tyre në këtë jetë si të bazuar në veprimet e tyre në një jetë të mëparshme. Nëse sjellja e tyre e mëparshme ishte e keqe, ata mund të përjetojnë vështirësi të jashtëzakonshme në këtë jetë. Synimi i një Hinduje është të çlirohet nga ligji i karma-s…të mos vazhdojë të rimishërohet më.

Ka tri rrugë të mundshme për t’i dhënë fund këtij cikli të karma-s: 1. T’i përkushtohesh me dashuri njërit prej perëndive dhe perëndeshave hindu; 2. Të rritesh në njohuri përmes meditimit të Brahman-it (njëqenësisë)…të kuptosh se rrethanat në jetë nuk janë reale, se vetja është një iluzion dhe vetëm Brahman-i është real; 3. T’i përkushtohesh një sëre ceremonish dhe ritesh fetare.

Në Hinduizëm, një person ka lirinë të zgjedhë si të punojë drejt përsosjes shpirtërore. Hinduizmi ka edhe një shpjegim të mundshëm për ekzistencën e së keqes dhe vuajtjes në botë. Sipas Hinduizmit, vuajtja që përjeton çdo njeri, qoftë kjo sëmundje, ose uri se fatkeqësi, është për faj të vetë personit, për shkak të veprimeve të tij të këqia, zakonisht në një jetë të mëparshme. Vetëm shpirti ka rëndësi i cili një ditë do të çlirohet nga cikli i rilindjeve dhe do të pushojë në paqe.

Epoka e Re

Epoka e Re reklamon zhvillimin e fuqisë dhe hyjnitetit së personit. Kur i referohet Perëndisë, një ndjekës i Epokës së Re nuk e ka fjalën për një Perëndi transendent dhe personal që krijoi universin, por e ka fjalën për një vetëdije më të lartë brenda vetes. Një person në Epokën e Re e shikon veten si Perëndia, kozmosi, universi. Në fakt, çdo gjë që personi shikon, dëgjon, ndjen apo imagjinon duhet konsideruar hyjnore.

Tepër përzgjedhëse, Epoka e Re e paraqet veten si një përmbledhje traditash të lashta shpirtërore. Ajo njeh shumë perëndi dhe perëndesha, ashtu si Hinduizmi. Toka shihet si burimi i gjithë shpirtërores, dhe ka inteligjencën e saj, emocionet dhe hyjninë e saj. Por ajo që i tejkalon të gjitha është vetja. Vetja është filluesi, kontrolluesi dhe Perëndia i gjithçkaje. Nuk ka realitet jashtë atij që personi përcakton.

Epoka e Re mëson një grup të gjerë teknikash të misticizmit lindor, metafizike dhe psikike, si ushtrime të frymëmarrjes, përsëritjen pa pushim të formulave të caktuara, rënien e daulleve, meditimin…për të zhvilluar një vetëdije të ndryshuar dhe natyrën hyjnore të vetes.

Çdo gjë negative që një person përjeton (dështime, trishtim, zemërim, egoizëm, lëndim) konsiderohet si iluzion. Duke e besuar se vetja është tërësisht sovran mbi jetën e vet, asgjë në jetë s’mund të jetë gabim, negative apo e dhimbshme. Më në fund një person zhvillohet shpirtërisht deri në atë pikë sa nuk ka realitet të jashtëm objektiv. Një person, duke u bërë perëndi, krijon realitetin e vet.

Budizmi

Budistët nuk adhurojnë ndonjë perëndi. Njerëzit jashtë Budizmit shpesh mendojnë se Budistët adhurojnë Budën. Megjithatë, Buda (Siddhartha Gautama) kurrë nuk pretendoi se ishte hyjnor, por shihet prej tyre si ai që arriti atë që ata po përpiqen të arrijnë, dhe që është ndriçimi shpirtëror dhe, me të, çlirimin nga cikli i vazhdueshëm i jetës dhe vdekjes. Shumica e Budistëve besojnë se një person ka rilindje të panumërta, të cilat në mënyrë të pashmangshme kanë brenda edhe vuajtje. Një Budist përpiqet t’iu japë fund këtyre rilindjeve. Budistët besojnë se janë dëshirat, mospëlqimet dhe iluzionet e personit që i shkaktojnë këto rilindje. Prandaj, qëllimi i një Budisti është të pastrojë zemrën e vet dhe të heqë dorë nga gjithë dëshirat sensuale dhe dashuria ndaj vetes.

Budistët ndjekin një listë parimesh fetare dhe një meditim shumë të përkushtuar. Kur një Budist mediton nuk është njëlloj sikur të lutet apo të fokusohet tek një perëndi, është më shumë një vetë-disiplinë. Nëpërmjet meditimit të përsëritur një person mund të arrijë Nirvana-n — “fikjen” e flakës së dëshirës.

Budizmi ka diçka që është e vërtetë për shumicën e feve botërore: disiplinat, vlerat dhe direktivat sipas të cilave një person mund të dojë të jetojë.

Islamizmi

Myslimanët besojnë se ka një perëndi të gjithëfuqishëm të quajtur Allah, i cili është pafundësisht superior dhe transendent ndaj njerëzimit. Allahu shihet si krijuesi i universit dhe burimi i gjithë të mirës dhe të keqes. Çdo gjë që ndodh është vullneti i Allahut. Ai është një gjykatës i fuqishëm dhe i rreptë, që do të jetë i mëshirshëm ndaj ndjekësve të Tij sipas të mirave që kanë bërë në jetë dhe devotshmërisë fetare. Marrëdhënia e një ndjekësi me Allahun është si një shërbëtor i Allahut.

Megjithëse një Mysliman nderon disa profetë, Muhamedi konsiderohet profeti i fundit dhe fjalët dhe mënyra e jetesës së tij janë autoriteti i atij personi. Për të qenë Mysliman, dikush duhet të përmbushë pesë detyra fetare: 1. Të përsëritë një kredo për Allahun dhe Muhamedin; 2. Të thotë disa lutje të caktuara në Arabisht pesë herë në ditë; 3. T’ju japë të varfërve; 4. Një muaj çdo vit të agjërojë nga ushqimi, pijet, marrëdhëniet seksuale dhe duhani që nga lindja e diellit deri në perëndim; 5. Pelegrinazh një herë në jetë për të adhuruar tek një vend i shenjtë në Mekë. Kur vdes – në bazë të besnikërisë së tij ndaj këtyre detyrave – një Mysliman shpreson të hyjë në Parajsë, një vend kënaqësish. Nëse jo, do të ndëshkohet përjetësisht në ferr.

Për shumë njerëz Islamizmi i përmbush pritjet e tyre për fenë dhe hyjnoren. Islamizmi mëson se ka një Perëndi suprem, i cili duhet adhuruar përmes veprave të mira dhe ritualeve fetare të disiplinuara. Pas vdekjes një person shpërblehet ose ndëshkohet sipas përkushtimit fetar.

Krishtërimi — besimi në Jezus Krishtin

Të krishterët besojnë në një Perëndi të dashur i cili e ka zbuluar Veten dhe mund të njihet personalisht në këtë jetë. Me Jezu Krishtin, fokusi i personit nuk është në ritualet fetare apo bërjen e veprave të mira, por në pasjen e një marrëdhënieje me Perëndinë dhe njohjen më të mirë të Tij.

Besimi në Jezusi Krishtin vetë, jo thjesht në mësimet e Tij, është mënyra si i krishteri përjeton gëzim dhe një jetë kuptimplotë. Në jetën e Tij në tokë, Jezusi nuk e identifikoi veten si një profet që i drejtonte të tjerët tek Perëndia apo si mësues i dritës. Përkundrazi, Jezusi shpalli se ishte Perëndia në formë njerëzore. Ai bëri mrekulli, iu fali njerëzve mëkatet dhe tha se kushdo që besonte në Të do të kishte jetë të përjetshme. Ai bëri deklarata të tilla si, “Unë jam drita e botës; ai që më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”1

Të krishterët e shohin Biblën si mesazhin e shkruar të Perëndisë ndaj njerëzimit. Përveçse një dokument historik i jetës dhe mrekullive të Jezusit, Bibla zbulon personalitetin e Perëndisë, dashurinë dhe të vërtetën e Tij, dhe si mund të ketë dikush një marrëdhënie me Të.

Me çfarëdo rrethanash të ndeshet një i krishterë në jetë, ai mund të drejtohet me besim tek një Perëndi i mençur dhe i fuqishëm që e do me të vërtetë. Ai beson se Perëndia u përgjigjet lutjeve dhe se jeta merr kuptim kur ai përpiqet të jetojë për ta nderuar Atë.

A ka ndonjë ndryshim?

Kur i shohim këto sisteme kryesore besimi dhe pikëpamjet e tyre për Perëndinë, gjejmë dallime shumë të mëdha:

  • Hindutë besojnë në 300,000 Perëndi.
  • Budistët thonë nuk ka ndonjë qenie hyjnore.
  • Ndjekësit e Epokës së Re besojnë se ata janë Perëndia.
  • Myslimanët besojnë në një Perëndi të fuqishëm, por të largët.
  • Të krishterët besojnë në një Perëndi të dashur dhe të arritshëm.

A adhurojnë të gjitha fetë të njëjtin Perëndi? Le të marrim parasysh këtë: Epoka e Re mëson se të gjithë duhet të përqendrohen në një vetëdije kozmike, por kjo do t’i kërkonte Islamizmit të hiqte dorë nga Perëndia i tij, Hinduizmit të hiqte dorë nga Perënditë e tij të shumta, dhe Budizmit të pranonte se ka një Perëndi.

Fetë kryesore të botës (Hinduizmi, Epoka e Re, Budizmi, Islamizmi, ndjekja e Jezu Krishtit) janë secila tepër unike. Dhe prej tyre njëra pohon se ekziston një Perëndi personal dhe i dashur që mund të njihet tani, në këtë jetë. Jezu Krishti foli për një Perëndi që na fton në një marrëdhënie me Të dhe vjen përkrah nesh si një ngushëllues, këshillues dhe Perëndi i fuqishëm që na do.

Në Hinduizëm një person përpiqet i vetëm të çlirohet nga karma. Në Epokën e Re një person punon për natyrën e tij hyjnore. Budizmi është një kërkim individual për t’u çliruar nga dëshira. Dhe në Islamizëm, individi ndjek ligje fetare për hir të parajsës pas vdekjes. Në mësimet e Jezusit shohim një marrëdhënie personale me një Perëndi personal – një marrëdhënie që vazhdon edhe në jetën tjetër.

A mundet një person të lidhet me Perëndinë në këtë jetë?

Përgjigjia është po. Jo vetëm që mund të lidhesh me Perëndinë, por edhe mund të dish që je tërësisht i pranuar dhe i dashur nga Perëndia.

Shumë fe botërore e vendosin individin vetëm, duke luftuar për përsosmëri shpirtërore. Buda, për shembull, nuk pretendoi kurrë për pamëkatshmëri. Edhe Muhamedi e pranoi se kishte nevojë për falje. “Sado të mençur, sado me dhunti, sado me influencë të ishin profetët e tjerë, gurutë, dhe mësuesit ata patën kthjelltësinë të pranonin se ishin të papërsosur si dhe ne të tjerët.”2

Jezu Krishti, megjithatë, kurrë nuk pohoi ndonjë mëkat personal. Përkundrazi, Ai u fali njerëzve mëkatet dhe dëshiron të na i falë edhe neve. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për të metat tona, për fushat e jetës sonë që mund t’i bëjnë të tjerët të mendojnë keq për ne, fusha të cilat edhe ne vetë do të donim të mos i kishim…ndoshta mund të jetë një ves, zemërimi i shpejtë, papastërtia, fjalët e ashpra. Perëndia na do por e urren mëkatin, dhe ai ka thënë se rrjedhoja e mëkatit është ndarja prej Tij. Por Perëndia siguroi një mënyrë që ne të jemi të falur dhe ta njohim Atë. Jezusi, Biri i Perëndisë, Perëndia në formë njerëzore, e mori gjithë mëkatin mbi vete, vuajti në kryq, dhe me dëshirë vdiq në vendin tonë. Bibla thotë, “Nga kjo e kemi njohur dashurinë: Ai e dha jetën e Vet për ne.”3

Perëndia na ofron falje të plotë për shkak të vdekjes së Jezusit për ne. Kjo do të thotë falje për të gjitha mëkatet tona…të shkuara, të tashme dhe të ardhme. Jezusi pagoi për të gjitha. Perëndia, që krijoi universin, na do dhe do të ketë një marrëdhënie me ne. “Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e Tij të vetëmlindurin në Botë që ne të rrojmë nëpërmjet Tij.”4

Nëpërmjet Krishtit, Perëndia na ofron çlirim të vërtetë nga mëkati dhe faji. Ai nuk ia lë dështimet një personi mbi shpatullat e tij, me një gjysmë shprese se ai do të bëhet njeri më i mirë nesër. Në Jezu Krishtin, Perëndia erdhi tek njeriu duke siguruar një mënyrë që ne ta njohim atë. “Sepse Perëndia aq e deshi botën saqë dërgoi Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”5

Perëndia do që ne ta njohim Atë.

Ne u krijuam nga Perëndia për të jetuar në një marrëdhënie me të. Jezusi tha, “Kush që vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje..dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë.”6 Jezusi i thirri njerëzit jo vetëm të ndjekin mësimet e Tij, por të ndjekin Atë. Ai tha, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.”7 Duke thënë se ishte e vërteta, Krishti i tejkalon profetët dhe mësuesit e tjerë që thjesht thanë se shpallnin të vërtetën.8

Jezusi e identifikoi veten si të barabartë me Perëndinë, dhe madje edhe dha prova për këtë. Jezusi tha se do të kryqëzohej dhe se tri ditë pas vdekjes do të kthehej përsëri në jetë. Ai nuk tha se do të rimishërohej dikur në një jetë të ardhme. (Sepse kush do ta merrte vesh nëse kjo ndodhi?) Ai tha se tri ditë pas varrimit do t’iu shfaqej i gjallë atyre që e panë kryqëzimin e Tij. Në atë ditë të tretë, varri i Jezusit u gjend i zbrazët dhe shumë njerëz dëshmuan se e panë të gjallë përsëri. Ai na ofron tani jetë të përjetshme.

Është një marrëdhënie e dyanshme.

Shumë fe fokusohen në përpjekjet shpirtërore të personit. Me Jezu Krishtin është një bashkëveprim i dyanshëm midis personit dhe Perëndisë. Ai na mirëpret kur shkojmë tek Ai. “Zoti është pranë gjithë atyre që e kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë me të vërtetë.”9

Mund të komunikojmë me Perëndinë, dhe Ai iu përgjigjet lutjeve tona, na jep paqe dhe gëzim më të madh, na drejton, na shfaq dashurinë e Tij dhe na e ndryshon jetën. Jezusi tha, “Unë erdha që ata të kenë jetë, dhe ta kenë me bollëk.”10

Kjo nuk do të thotë që jeta do të bëhet e përsosur dhe pa probleme, por do të thotë që në jetë, ti mund të mbështetesh te Perëndia i cili është i gatshëm të përfshihet në jetën tënde dhe besnik në dashurinë e Tij.

Ky nuk është një përkushtim ndaj një metode vetë-përmirësimi si Shtegu i Tetëfishtë, ose Pesë Shtyllat, ose meditimi, ose veprat e mira, ose madje edhe Dhjetë Urdhërimet. Ata duken si shtigje të qartë, të përkufizuar mirë, të lehtë për t’u ndjekur për tek shpirtërorja. Por ata bëhen një përpjekje e lodhshme për përsosmëri, dhe lidhja me Perëndinë është prapë e largët. Shpresa jonë nuk është në ndjekjen e ligjeve apo standardeve,por në njohjen e një Shpëtimtari që na pranon plotësisht për shkak të besimit tonë në Të dhe sakrificës së Tij për ne. Ne nuk e fitojmë vendin tonë në qiell me anë të përpjekjeve fetare apo veprave të mira. Qielli është dhuratë kur fillojmë një marrëdhënie me Jezu Krishtin.

A do të doje të ishe plotësisht i/e falur dhe të njihje personalisht dashurinë e Perëndisë për ty?

Fillimi i një marrëdhënieje me Perëndinë.

Ti mund të fillosh një marrëdhënie me Perëndinë që tani. Mjafton t’i kërkosh Perëndisë falje për mëkatin tënd dhe ta ftosh në jetën tënde. Jezusi tha, “Ja, unë qëndroj te dera [e zemrës] dhe trokas. Nëse dikush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai.”11 A dëshiron të fillosh një marrëdhënie me Perëndinë që të krijoi, që të do thellësisht? Ti mund ta bësh këtë që tani, nëse kjo është dëshira e zemrës tënde: “Perëndi, të kërkoj falje dhe të ftoj në zemrën time që tani. Falemnderit Jezus që vdiqe për mëkatet e mia. Falemnderit që hyre në jetën time ashtu siç the.”

Bibla na thotë se “atyre që e pranuan Ai u dha të drejtën të bëhen fëmijë të Perëndisë.”12 Nëse e ke ftuar sinqerisht Perëndinë të vijë në jetën tënde, ti ke filluar një marrëdhënie personale me Të. Është njësoj sikur sapo e ke takuar Perëndinë dhe Ai dëshiron të të ndihmojë ta njohësh më mirë, të njohësh dashurinë e Tij për ty, të të udhëheqë me urtësi në çfarëdo vendimi me të cilin përballesh. Libri i titulluar “Ungjilli sipas Gjonit” në Bibël është një vend i mirë për të mësuar më shumë për marrëdhënien me Perëndinë. Ndoshta do t’i tregosh dikujt për vendimin që ke marrë për të ftuar Jezusin në jetën tënde.

Në fetë e botës personi ka marrëdhënie me mësimet, idetë, shtigjet dhe ritualet. Nëpërmjet Jezusit, personi mund të ketë një marrëdhënie me Perëndinë e dashur dhe të plotfuqishëm. Mund të flasësh me Atë dhe Ai të udhëheq në këtë jetë. Ai nuk të tregon thjesht një rrugë apo filozofi. Ai të fton që ta njohësh, të përjetosh gëzim, dhe të kesh besim në dashurinë e Tij në mes të sfidave të jetës. “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë.”13

Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...

Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...

Kam një pyetje...

(1) Gjoni 8:12
(2) Erwin W. Lutzer, Christ Among Other Gods (Chicago: Moody Press,1994), p. 63
(3) 1 Gjoni 3:16
(4) 1 Gjoni 4:9
(5) Gjoni 3:16
(6) Gjoni 6:35
(7) Gjoni 14:6
(8) Lutzer, p. 106
(9) Psalmet 145:18
(10) Gjoni 10:10
(11) Zbulesa 3:20
(12) Gjoni 1:12
(13) 1 Gjoni 3:1

Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë

Kam një pyetje...