Ti mund të mendosh: “Sikur të kisha edhe pak më tepër forcë, do të isha shumë mirë”. Kjo është një histori personale që tregon arsyen pse fuqia e vullnetit nuk funksionon dhe çfarë funksionon në të vërtetë…

Shkruar nga Ted N.

I printueshëm në PDF

Jeta e një personi të varur nga droga është një montazh pamjesh të ngrira. Si për shembull ajo natë kur shkova me makinë tek shtëpia e prindërve dhe në pasqyrë vura re një rreze shqetësuese drite ngjyrë të kuqe dhe blu. Teksa e nxora makinën nga rruga kryesore në një vend ndalimi, kuptova se isha veshur vetëm me një rrobë banje dhe me pizhame stofi ngjyrë jeshile. Nxitimthi llogarita sa gota kisha pirë në orët e fundit, u kujtova për gjysmën e gramit të heroinës që kisha në xhepin e rrudhosur, pa përmendur ato shumë doza të tjera që kishte mundësi të ishin shpërndarë nëpër makinë.

Isha i qetë si mëngjesi i një të diele … dhe në fakt ishte e diel. Shpesh shkoja në shtëpi të dielave rreth orës 9 deri në 11 paradite, duke e ditur se prindërit dhe vëllai do të ishin në kishë, duke u lutur për mua. Kthimet e mia në shtëpi nuk ishin për t’u takuar me familjen apo për të ngrënë së bashku — kisha nevojë për para. Megjithatë, këtë natë, ora ishte akoma 3 e mëngjesit dhe unë nuk mund të prisja derisa të fillonte kisha.

Po ky polici nga mbiu? Burri i veshur me rroba blu, i betuar që të mbronte rrugët e fermave tona, trokiti tek dritarja e makinës me vendosmëri. E futa gjysmën e mbetur të cigares në një kanoçe të shtypur arançate dhe ula xhamin. Nuk i thashë asnjë nga sekretet e mia. Ai nuk tha asgjë për rrobat e mia të natës, orën e vonë dhe as për duart që më dridheshin. Foli për drerët dhe se sa e rrezikshme mund të jetë për shoferët kur një dre iu pret rrugën. Ai më fali dhe u kthye tek makina e tij e ndezur pa më vënë gjobë. Mendova se duhet t’i jem dukur i lodhur dhe jo i dehur.

Për ca kohë kisha qenë në gjendje që të pija sasi të mëdha alkooli pa u dukur i dehur. Në fakt, kisha kohë që nuk isha dehur dhe ndihesha më pranë të qenit normal pasi kisha hedhur nja dy gota. Isha i qetë teksa ai largohej dhe pothuaj i zhgënjyer kur nisa makinën, ndërkohë që ndezja një cigare tjetër me flakën e nxehtë të çakmakut. Ai nuk ishte armiku im. Hodha sytë tek pasqyra që kisha sipër kokës dhe pashë kundërshtarin.

Me çfarë ngjan varësia? Me izolimin.

Njëkohësisht edhe e pëlqeja edhe e përçmoja shoqërinë time; ia kisha frikën vetes dhe asaj që mund të bëja në qoftë se do të rrija vetëm për shumë kohë. Në më shumë se një rast e gjeja veten duke qëndruar në kuzhinë para sirtarit të hapur të argjendurinave me një thikë të mprehtë në dorë e me majën e saj në fyt, duke dashur të ndiej diçka ose çfarëdo gjëje, duke dashur të vdisja, por në të vërtetë thjesht duke dashur të jetoja. Zgjohesha të nesërmen në dyshemenë e kuzhinës: isha një burrë të cilin e kishte zënë gjumi duke qarë, i thyer, i frikësuar, i robëruar dhe krejtësisht vetëm.

U mundova që të shkoja nëpër festa për ca kohë, duke u ndjerë gjithmonë optimist deri në pikën kur hyja në një dhomë të mbushur me njerëz dhe shihja një duzinë fytyrash që nuk doja t’i takoja. Nuk ishte që zgjidhja mbledhje me njerëz të ulët. Më dukej rraskapitëse parehatia ime shoqërore, beteja për të bërë ato bisedat e detyrueshme. Qëndroja për dhjetë minuta duke u munduar të sillesha sikur isha i interesuar e më pas bëja sikur po dilja për të pirë një cigare dhe vjedhurazi futesha në makinë për t’u larguar. Vitet e para kur e bëja këtë gjë, miqtë më merrnin në telefon dhe pyesnin se ku kisha shkuar derisa më vonë nuk morën më.

Duket qesharake nëpër filma kur njerëzit zgjohen në ndonjë shtrat ose divan të huaj pa e pasur aspak idenë se si kanë përfunduar aty. Nuk mbaj mend të më jetë dukur ndonjëherë për të qeshur kur jam zgjuar në sediljen e shoferit në makinën time, që ishte parkuar para pallatit të gabuar. Nuk kam buzëqeshur kurrë kur jam çuar nga ndonjë qilim i ndotur duke u munduar me zor të gjeja rrugën për në shtëpi.

Parapëlqeja të qëndroja në apartament dhe të largohesha që andej vetëm për të marrë cigare, pije apo për të blerë drogë. Në këtë mënyrë ndihesha më i sigurt. Nuk më duhej të pyesja veten se mos kisha vrarë njeri. Kështu që në përfundim e mblodha mendjen që të mos largohesha fare që aty. Mbyllja dyert dhe ulja grilat për ditë me radhë. Pa asnjë dyshim, izolimi i plotë është receta për çmendurinë e plotë.

Cila është rrënja e një varësie? Një pengesë mendore.

Të flasësh me një të varur nga droga dhe/ose një alkoolist (për mendimin tim nuk ka asnjë dallim mes këtyre dy të këqijave) nuk është ndryshe nga të folurit me një fëmijë. Ai ose ajo është i pranishëm në çdo kuptim fizik, por aty ekziston një pengesë mendore pjekurie. Kisha shumë për zemër që t’i shprehja monologë të gjatë e të sinqertë kujtdo që do të më dëgjonte për mjerimet e jetës dhe mizorinë e Perëndisë. Dëgjuesit e mi pakësoheshin ndërkohë që fjalimet zgjateshin dhe trishtoheshin.

Nata ishte vendi i ngushëllimit, intervali për të pirë me neps dhe për të gëlltitur, thithur, tymosur apo ngulur në trup çdo gjë që mund të ofronte ndonjë çlirim nga… nuk e di se çfarë. Nga se po kërkoja që të shpëtoja? Arsyet që kisha u tkurrën me kalimin e kohës. Pija dhe marrja e drogës dikur e kishin një qëllim. Sillnin liri, qartësi, paqen e mendjes dhe mendjelehtësi. Ku kishin shkuar ato zgjidhje dhe kur ndodhi që zgjidhja të bëhej problemi? Mjetet e mia të arratisë ironikisht ishin bërë burgu im. Kisha nevojë për një zgjidhje të re.

Këtë gjë jam i sigurt se e di për Perëndinë. Ai mund t’i marrë situatat e llahtarshme dhe t’i transformojë ato në diçka të mrekullueshme. Është një e vërtetë që e shoh çdo ditë në jetën time. Me kujtohet kur ulesha gjatë terapisë, duke menduar për hapat e ardhshëm në një shteg të paqartë, duke pyetur veten se ç’duhet të mendoja për dhjetë vitet e fundit të jetës sime. Ku kishin humbur krejtësisht? Çfarë duhet të bëj me gjithë këtë dëm dhe si mund të eci përpara me të kaluarën kaq pranë pas meje?

Përgjatë shumë viteve të shkuara kam vazhduar të analizoj të kaluarën time në mënyrë që të mund të shihja ku po vepronte Perëndia. Ku ishte Ai kur unë ndjehesha kaq i braktisur dhe i vetmuar? Ku ishte Ai gjithë ato herët kur shkoja me makinë në shtëpi pas dymbëdhjetë gotave dhe një doze droge me të cilën ishin tallur me mua? A ishte aty Ai kur unë zgjohesha në ndonjë vend të panjohur? Ndoshta Ai ishte aty kur u kacavara në vaskë në katër të mëngjesit dhe më ra të fikët ca kohë pasi të gjithë ishin larguar dhe u zgjova më vonë me flokët të lagur, por nuk pashë asnjë njeri që të më kishte shpëtuar.

Ka kaq shumë situata që më tregojnë praninë mbrojtëse dhe ndihmën e Perëndisë. Në qoftë se do t’i kisha kuptuar këto ndërhyrje në atë kohë, do kisha pyetur veten: Pse? Çfarë kisha unë të vlefshme për t’u shpëtuar? Unë isha zoti i vetvetes dhe nuk i jepja asgjë botës, kështu që pse e mori mundimin Perëndia?

E dija shumë mirë në ato net të errëta se çlirimi i vërtetë nuk mund të vijë kurrë nga një shishe apo nga tabletat e shtypura që kisha mbi tavolinë. Kjo nuk donte të thoshte që nuk e kërkoja këtë çlirim. Thjesht nuk isha kurrë i kënaqur.

Cili është rezultati më i mundshëm i një varësie?

Dikur i thërrisja Perëndisë, duke qarë e duke ulëritur me zemërim që Ai të më çlironte. Çdo natë tmerrohesha nga mëngjesi, i sigurt se nuk mund ta duroja dot edhe një natë tjetër. Çdo gjë më frikësonte: zilja e telefonit, trokitjet në derë, shkolla, puna, kushdo që më dilte përpara dhe mbi të gjitha, vetvetja. Nuk e dija kurrë se çfarë do të bëja. Lyeja bukën me gjalpë dhe i rezistoja shtysës së fortë për të prerë fytin. I jepja makinës mbi urë duke ndjerë duart që donin ta kthenin timonin përtej bordurës. E pija gotën e parë të ditës para se të hipja në makinë, duke e ditur se do të kishte edhe të tjera pas saj.

Kisha kaq shumë dëshirë të vdisja, por e dija se ç’funeral i trishtë do të ishte. Askush nuk do të habitej. Njerëzit do të flisnin për atë që mund të isha bërë dhe jo për ato që kisha arritur në jetë. Prindërit e mi do të fajësonin vetveten dhe do të jetonin me turp dhe keqardhje dhe vëllezërit e mi do t’i humbitnin buzëqeshjet dhe gjithë pafajësinë e tyre. Kujtimi i tyre për mua do t’iu rëndohej shpatullave për gjithë jetën.

Shokët e mi të klasës do të kujtonin vitet e shkuara me nostalgji dhe për ca kohë do të ngrinin dolli në nderin tim. Gruaja ime e ardhshme nuk do të më njihte dhe fëmijët e mi nuk do të vinin kurrë në jetë. Nuk mund ta lejoja që të përfundonte në një tragjedi të tillë, por nuk shihja asnjë rrugë shpëtimi. Kisha shkuar shumë larg.

Isha një i alkoolizuar, një drogaxhi, një student i padiplomuar, një bir dhe vëlla i dështuar, një djalë i frikësuar i cili ishte bërë një qenie që nuk kishte ëndërruar kurrë se mund të bëhej.

Pse vullneti i vetë personit nuk është zgjidhja për një varësi.

Pas dy muajsh terapie duke mos pasur asnjë përmirësim, isha më i rraskapitur se kurrë. Edhe pse nuk kisha pirë e as nuk kisha marrë ndonjë drogë për 60 ditë, prapëseprapë isha i zënë rob nga substancat. Nuk kisha ku të mbështetesha që të funksionoja si njerëzit e tjerë. Mendoja se të paktën kur isha duke pirë e kisha një mjet çlirimi nga gjithë pritjet e jetës të cilat unë nuk isha në gjendje t’i arrija. Tani isha i cënueshëm. Nuk e kisha zgjidhjen për jetën tek gota përpara meje dhe as të vijëzuar pastër në rreshta të drejtë mbi tryezë.

Kaq shumë herë kisha rënë në gjunjë i dëshpëruar e plot dhimbje, duke thirrur i torturuar : “Zot, MË NDIHMO!” Në të gjitha ato raste kur kisha kërkuar shpëtim, nuk ia kisha dorëzuar vullnetin tim Perëndisë. Megjithatë, më në fund sonte, i vetëm në dhomën time, doja të isha i sinqertë dhe t’i drejtohesha pa hile Zotit. I fola për dëshirën time realisht të dëshpëruar për të ndryshuar, se doja t’ia dorëzoja varësinë time Atij dhe se isha i gatshëm të veproja e të mos prisja që ajo të mbizotëronte mbi mua. Fjeta rëndë atë natë. Ishte shijimi i parë i lirisë.

Dallimi mes lutjes së asaj nate dhe gjithë të tjerave ishte një fjalë vendimtare dhe e fuqishme: besimi. Edhe në çastet më të këqija të varësisë sime, kisha besuar deri në njëfarë mase se Perëndia mund të më çlironte nga ajo barrë. Pavarësisht nga kjo, kisha vazhduar që t’i bëja gjërat sipas mënyrës sime. Kurrë më parë nuk ia kisha dorëzuar problemet e mia Perëndisë, as nuk kisha kërkuar udhëheqje apo urtësi për të kuptuar se cili duhej të ishte roli im në këtë proces. Ishte hera e parë që unë kisha marrë sigurinë: “Në rregull atëherë, Perëndia do të kujdeset për këtë gjë sepse historia tregon se unë nuk mundem”.

Njerëzit mendojnë se varësia mund të mposhtet nga vullneti i personit. E dija që varësia ime ishte mazokizëm, por ishte e pamundur që ta përfytyroja jetën pa alkool e pa drogë. Kjo ishte humnera ime, por edhe miku im i vetëm, rruga ime e vetme për të jetuar. Të ushtrosh vullnetin në mes të një dileme të tillë është e pamundur. Në qoftë se nuk jam i qartë për mëdyshjen time të madhe atëherë si mund të këmbëngul për të fituar ekzistencën time në botë? Faleminderit Perëndisë për Perëndinë.

A ka ndonjë gjë më të fuqishme sesa varësia?

Varësia është një forcë dinake, e pamëshirshme që në dukje është e palëkundshme, por vendose varësinë në një ring me Zotin dhe ajo bëhet e papërfillshme. Ashtu siç turpërohet vullneti dhe forca ime njerëzore në betejën kundër varësisë, kështu asgjësohet varësia nga fuqia e Perëndisë. Nuk kam asnjë dyshim se varësia është një nga armët më të preferuara të Satanit duke qenë se sëmundja, kështu siç e shoh unë, zymtësisht i ngjan kaq shumë të qenit i pushtuar. Shërimi nga një varësi është vërtet një betejë frymërore.

Tani e di se nuk mund të ndiej keqardhje për ato vite endjeje kur isha i humbur e pa asnjë shpresë. Ato nuk janë të bukura për t’u kujtuar, por kanë sjellë kaq mirësi në jetën time saqë pa to Perëndisë do t’i ishte mohuar shumë lavdi. Në fakt, jam shumë i sigurt se pa kaq shumë vuajtje dhe mungesë fuqie, djaloshi arrogant dhe kokëfortë që unë isha dikur nuk do ta kishte njohur kurrë Perëndinë. Prezantimi im para Perëndisë ishte, në njëfarë kuptimi, i detyruar.

Marrëdhënia ime me Perëndinë është rritur ngadalë. Vazhdoj që, herë pas here, të jem kundërshtues dhe pa besim, por ashtu siç më paraqiti varësia ime para Perëndisë, kështu edhe rigjenerimi im i vazhdueshëm më inkurajon dhe kërkon një afrimitet në rritje me Perëndinë. Programi im i rigjenerimit është i thjeshtë: të kërkoj Perëndinë, me dëshirë ose pa dëshirë.

Në Bibël, në fragmentin e mëposhtëm, Pali iu shkroi miqve të tij që ishin edhe ndjekës të Jezusit: “…Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni… i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju”1. Më pëlqente shumë mendimi i të jetuarit në këto gjëra dhe jo i të jetuarit me thithjen e drogës nga hunda.

Çfarë kam fituar nga varësia ime?

E kaluara ime, sado e zymtë qoftë, është bërë vërtet një vlerë e paçmueshme. Tani unë jam përgjegjës për t’i ndihmuar të tjerët që ta gjejnë dhe ta mbajnë rigjenerimin ashtu siç kam bërë unë. Janë përvojat tona të ngjashme që na lidhin së bashku. Çdo javë, një person i cili është në hapat e para të rigjenerimit, i pasigurt për një rrugëdalje, më tregon një histori nga ajo që i ka ndodhur para pak kohësh kur është ndjerë i persekutuar dhe i shtyrë që të zgjasë dorën drejt gotës apo që të mbushë shiringën. Ata më flasin për turpin e madh që ndjejnë duke më parë me hezitim me sytë e mbushur plot frikë nga gjykimi i të tjerëve. Kur kanë përfunduar ulin kokën, pa qenë në gjendje që të më shohin në sy. Unë buzëqesh dhe u them me ndershmëri të plotë: “Po, e kam bërë edhe unë këtë”. Papritur, pesha e tyre e turpit dhe ndjenja e të qenit unik zhduket. Më pas u them se sa ndryshe janë gjërat për mua sot. Të ndjesh një mrekulli mbi trupin tënd ose të kryer për ty, është diçka e veçantë, kurse të luash me dëshirë një rol në mrekullinë e dikujt tjetër: ky është një privilegj sublim.

Si mundet që një i jashtëligjshëm, një drogaxhi dhe një pijanec, një dështim në çdo aspekt, të bëhet një mjet i Perëndisë? Si mundem unë, që vetëm disa vite më parë isha i sigurt se kjo botë do të ishte më mirë pa mua, të bëj tani vullnetin e Perëndisë? Në të vërtetë nuk kam një përgjigje sepse Perëndia vepron në mënyra që unë nuk i kuptoj. Në mënyrë humoristike, Ai duket se përdor njerëzit më të pamendueshëm si bashkëpunëtorët e Tij. Në qoftë se ky është rasti, nuk rri të mendoj gjatë pse ndodh kjo gjë.

Brenda gjashtë muajsh dorëzimi tek Perëndia dhe duke u përpjekur shumë që të qëndroja esëll, u regjistrova sërish në fakultet dhe u diplomova pas pak kohe me nderime në latinisht dhe një përvojë universiteti të cilën as që e kisha ëndërruar. Kanë kaluar më shumë se tre vjet nga ajo natë kur rashë në gjunjë dhe që atëherë nuk jam ndjerë më i pashpresë. Jeta ime nuk është “mirë”. Është e jashtëzakonshme. Kjo nuk do të thotë që kam miliona dollarë, famë, se të gjithë mendojnë që unë jam më i miri dhe se nuk ka asgjë në botë që unë nuk mund ta bëj. Dua të them që çdo mëngjes bëj maksimumin që t’ia dorëzoj Zotit vullnetin tim dhe të jem i hapur për vullnetin e Tij, duke i kërkuar Atij që të veprojë përmes meje dhe kjo është një lutje të cilën Ai nuk e refuzon kurrë. Kur jam syçelë për mundësitë, ato janë pas çdo kthese. Dikur më zinte gjumi pasi kisha kapërdirë sa të mundja uiski me qëllim që të më binte të fikët për disa orë dhe që të përsërisja procesin, por tani bie të fle duke e ditur se kam bërë diçka për Të Plotfuqishmin. Në qoftë se kjo nuk është një ditë e kënaqshme nuk e di se çfarë mund të jetë.

Tani punoj me studentët në qytetin Duluth të Minesotës në një program për rigjenerimin e personave që sapo kanë filluar çlirimin nga dehja dhe po kërkojnë të përmirësojnë jetën e tyre, të rifitojnë atë që kanë humbur nga varësia dhe të përjetojnë gjithë bekimet e papritura e plot kënaqësi që Perëndia iu ka vendosur përpara.


(1) Filipianëve 4:8, 9

Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë

Kam një pyetje...